Fjalimi i Putin ku u përmendën edhe armët bërthamore mobilizon Perëndimin – sanksione Rusisë, armë Ukrainës

Putin urdhëroi mobilizimin e 300 mijë rezervistëve për të vazhduar agresionin ushtarak në Ukrainë dhe kërcënoi se do të përdorë gjithçka që ka në dispozicion përfshirë edhe armët bërthamore. Deklaratat luftënxitëse të tij kanë alarmuar fuqitë perëndimore dhe aleancën e NATO-s.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dje në OKB tha se kërcënimet bërthamore të Putinit bota duhet t’i shohë si veprime të egra.

“Bota duhet t’i shoh këto veprime të egra, ashtu siç vërtetë janë. Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe kurrë nuk duhet të luftohet”, ka thënë ai.

Në Këshillin e Sigurimi foli edhe Kancelari gjerman Scholz i cili e sulmoi ashpër Putinin duke thënë se kërcënimi i tij është imperializëm i pastër.

“Ky është imperializëm i pastër”, tha Scholz në Nju Jork.

Kurse, Volodymyr Zelensky president i Ukrainës para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork tha se Rusia duhet të përballet me “ndëshkim të duhur” për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Përmes një videoje të incizuar paraprakisht, lideri ukrainas ka bërë thirrje për krijim të një tribunali special për luftën, dhe ka përmendur krimet e supozuara të luftës, të kryera nga Rusia.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë NATO, Jens Stoltenberg, ka reaguar gjithashtu ndaj deklaratave të Putinit duke thënë se retorika e tij është e rrezikshme dhe se konflikti mund të eskalojë.

“Ne do të sigurohemi që në Moskë të mos ketë asnjë keqkuptim për seriozitetin e përdorimit të armëve bërthamore… Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë kaq të qartë në komunikimet tona me Rusinë për pasojat e paprecedentë, për faktin se lufta bërthamore nuk mund të fitohet nga Rusia”, ka thënë Stoltenberg.

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord në një takim jozyrtar të jashtëzakonshëm në Neë York për të vazhduar me sanksionet e reja kundër Rusisë, njoftoi përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, pak orë pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një mobilizim të pjesshëm.

Ministrat ranë dakord gjithashtu të vazhdojnë dërgesat e armëve në Ukrainë, raporton Reuters.

Borrell tha tha se ministrat e 27 vendeve anëtare të BE-së që marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së morën një vendim politik në margjinat e këtij sesioni për të aplikuar masa të reja sektoriale dhe individuale ndëshkuese ndaj Moskës.

Go to TOP