Diplomati i karrierës drejtonte një rrjet spiunësh rusë në Mal të Zi

Radomir Sekuloviq, ish-punonjës shumëvjeçar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, dyshohet se ka punuar me vite në shërbimin e inteligjencës ruse dhe se ka qenë kreu i një grupi që dërgonte informacione konfidenciale në Moskë.

Sekuloviq, gjashtë punonjës të ambasadës ruse dhe disa shtetas të atij vendi janë nën hetim nga Prokuroria Speciale e Shtetit (SDT), në një veprim të koordinuar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB). Ai u ndalua gjatë ditës së djeshme gjersa kanë vazhduar kontrollet ndaj anëtarëve të dyshuar të grupit të tij, thanë disa burime për vijesti.

Këto aktivitete, sipas burimeve jozyrtare, janë pjesë e një aksioni më të gjerë që ANB po e zbaton në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Prokurori special dhe zëdhënësi i SDT-së, Vukas Radonjiq, konfirmoi se operacioni nën dyshimin për spiunazh është në vazhdim, duke deklaruar se nuk ka të arrestuar.

Ministria e Punëve të Jashtme mbrëmë ka konfirmuar se gjashtë punonjës të Ambasadës Ruse janë shpallur të padëshiruar në Mal të Zi, pasi kanë shkelur rregullat diplomatike ndërmjet dy vendeve, të përcaktuara me Konventën e Vjenës.

Kodi Penal i Malit të Zi parasheh dënimin me burg nga tre deri në 15 vjet për veprën penale të spiunazhit, si dhe për një vepër tjetër penale – krijimin e organizatës kriminale.

Sipas informacioneve të “Vijesti”, grupi që punonte për shërbimin inteligjent rus dyshohet se përmban rreth 20 anëtarë, ku Sekuloviq ishte epror.

Zyrtarët konfirmuan më parë se ekspertë nga Amerika dhe Franca ndihmuan në zbulimin e sulmeve dhe, siç u shpjegua, në parandalimin e tyre në të ardhmen.

Aksioni i djeshëm zhvillohet në një situatë ku Evropa po përballet me një luftë në Ukrainë dhe Komisioni Evropian vendosi sanksione shtesë kundër Rusisë dy ditë më parë. Qeveria e Malit të Zi më parë ka mbështetur qëndrimin e KE-së në politikën e sanksioneve.

Kur bëhet fjalë për zyrtarin e MPJ-së, Radomir Sekuloviq, erdhi në atë ministri në mandatin e ish-shefit të diplomacisë Milan Roçen, dhe doli në pension në vitin 2019.

Sekuloviq ishte gazetar i Tanjug në Londër dhe në atë kohë propagandonte publikisht pikëpamjet e Partisë Radikale Serbe dhe liderit të saj Vojislav Sheshel.

Ai erdhi në Mal të Zi në mesin e viteve nëntëdhjeta dhe filloi të punojë në Sekretariatin Qeveritar për Informim si ndihmës sekretar. Në kohën e përçarjes në Partinë Socialiste Demokratike, ai u bë kundërshtar dhe kritik i ashpër i Momir Bullatoviqit dhe simpatizant i rrymës brenda DPS-së të udhëhequr nga Milo Gjukanoviq.

Ai ka qenë zëdhënës i MPJ-së kur ministër i Jashtëm ishte Dragisha Burzan, asokohe deputet i SDP-së. Burzan më pas e shkarkoi për shkak të një deklarate publike në të cilën ai shprehte mosmarrëveshjen e tij me shefin për faktin se Mali i Zi duhet të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe me SHBA-në për mosekstradimin e ushtarëve amerikanë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Go to TOP