I caktohet masë paraburgimi personit që dyshohet se vrau me sëpatë bashkëshorten e tij në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet I.G., i dyshuari se me sëpatë ka vrarë bashkëshorten e tij.

Sipas njoftimit të gjykatës, i njëjti dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në komunikatën për media.

Gjithashtu, bëhet e ditur se me rastin e caktimit të paraburgimit, “Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale si dhe pasojës së rëndë të shkaktuar me këtë vepër penale marr parasysh se me dashje dhe në mënyrë mizore I.G e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G”.

“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim.

Go to TOP