Hungaria e qorton ambasadoren gjermane

Ministria e Jashtme e Hungarisë e ka thirrur ambasadoren gjermane në një takim qortues të enjten, për shkak të asaj që ajo kishte thënë për Qeverinë hungareze dhe marrëdhëniet mes Budapestit dhe Berlinit.

Thuhet se ambasadorja Julie Gross kishte theksuar në një ngjarje diplomatike për shënimin e Ditës së Unitetit Gjerman në Budapest se Hungaria “është futur në një rrugë, e cila po e largon atë nga miqtë e saj” dhe se besimi që Hungaria ka fituar po shuhet.

Ajo u citua duke thënë se ka pasur një “sërë incidentesh, teorish, masash dhe provokimesh që… ngrenë dyshime për besueshmërinë e Hungarisë”.

Këto fjalë e kanë zemëruar Qeverinë hungareze, dhe e kanë nxitur ministrin e Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ta thërrasë atë në takim qortues. Ai tha se deklarata e saj janë “plotësisht të papranueshme”.

“Ajo u përzi në punët e brendshme të Hungarisë në një mënyrë që shkel sovranitetin e vendit tonë”, tha ai në Facebook.

“Ne presim respekt nga ambasadorët që shërbejnë në vendin tonë në të gjitha rastet, dhe për këtë arsye fjalimi i ambasadores është plotësisht i papranueshëm”, shtoi ai.

Gross gjithashtu e dënoi misionin e vetëquajtur të paqes të kryeministrit Viktor Orban në korrik mbi luftën e Rusisë në Ukrainë, i cili përfshinte vizita në Ukrainë, Rusi, Kinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Orban ndërmori këtë turne menjëherë pasi Hungaria mori përsëri presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian më 1 korrik, duke zemëruar liderët e tjerë të BE-së dhe NATO-s, pasi e takoi presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.

Gross e kritikoi Qeverinë hungareze edhe për pengimin e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke e quajtur këtë veprim “farsë” dhe kritikoi gjatë politikën proruse të Qeverisë hungareze.

“Them se për ju – votuesit hungarezë, pavarësisht bindjeve tuaja politike – kjo na sjell te pyetja: Si u shërben kjo interesave të mia dhe si e bën jetën time më të mirë si hungarez?” u citua ajo të ketë thënë.

Përplasja diplomatike erdhi pas komenteve të drejtorit politik të Orbanit në një podkast rreth mënyrës se si Hungaria do të ballafaqohej me pushtimin nga forcat ruse.

Drejtori politik Balazs Orban tha se mendon që mësimi nga revolucioni i vitit 1956, i cili u shtyp nga Bashkimi Sovjetik, ishte se nuk është e këshillueshme t’i bësh qëndresë një sulmi ushtarak rus.

“Duke nisur nga ’56-ta, ndoshta ne nuk do të kishim bërë atë që bëri presidenti [Volodymyr] Zelensky dy vjet e gjysmë më parë, sepse është e papërgjegjshme, sepse duket se ai e futi vendin e tij në një luftë mbrojtëse”, tha Balazs Orban më 26 shtator në podkastin Mandiner.

Balazs Orban më vonë kërkoi falje dhe tha se ai vetë do të luftonte me armë në dorë, nëse Rusia do ta sulmonte Hungarinë.

Viktor Orban fillimisht e mbrojti drejtorin e tij politik, por më vonë tha se ai kishte bërë gabim.

Julie Gross dhe ambasadori francez, Jonathan Lacote, thuhet se dorëzuan notë të përbashkët proteste në Qeverinë hungareze për komentet e Balazs Orbanit.

Radio Evropa e Lirë raportoi se protesta këshillonte që, nëse Hungaria, si një shtet anëtar i NATO-s, në të vërtetë mban qëndrim të tillë mbi çështjen e mbrojtjes së përbashkët, kjo është në kundërshtim me frymën e aleancës ushtarake dhe fyese për anëtarët e tjerë të aleancës.

Go to TOP