Hovenier ia rikujton Rakiqit qëndrimin e SHBA-së për Radojçiqin
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka takuar kryetarin e Listës Serbe Goran Rakiq, të cilit, siç tha ai, ia ka kujtuar qëndrimet e SHBA-së për disa çështje, përfshirë edhe atë për Milan Radojçiqin.
Takimi i 4 gushtit vjen pas ngjarjeve të ditëve të fundit në veri, ku më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Kjo protestë erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – me ato RKS, i cili do të niste të zbatohej më 1 gusht.
Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.
Ambasadori amerikan tha se masat e recipritetit janë legjitime dhe tha se takimi i Brukselit mes liderëve të të dyjave vendeve duhet të ndihmojë në uljen e tensioneve.
“I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga çështjet që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur t’i vendosë. Nga këndvështrimi ynë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime”, tha ambasadori Hovenier pas takimit me Rakiqin.
“Ne gjithashtu folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat”, tha Hovenier.
Ambasadori tha se në takimin mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, më vonë gjatë këtij muaji, ata duhet të shikojnë si të arrijnë t’i ulin tensionet të disa prej çështjeve.
Hovenier përsëriti qëndrimin e SHBA-së për Milan Radojçiqin.
“Më duhet t’u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin, dhe i tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur”.
Lista Serbe tha se Radoiçiq ishte i pranishëm më 31 korrik në barrikadat e ngritura në këtë pjesë të vendit.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha më 3 korrik se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq, nuk gjendet në veri të Kosovës. Ai tha se Radoiçiq në fillim të korrikut ka incizuar një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.
Më 3 korrik, partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe tha se dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një njoftimi për media, kjo parti tha se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Lista Serbe nuk e ka votuar Qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtu më 22 mars të vitit 2021.
