Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së: Do ta ringrisim partinë me unitet, transparencë dhe vizion shtetformues
Deputeti dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke kërkuar besimin e delegatëve në Kuvendin e partisë që do të mbahet më 31 janar 2026.
Në një mesazh drejtuar anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së, Hoti theksoi se vendimi i tij vjen pas dorëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku, për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor duke e cilësuar këtë si një moment vendimtar për partinë dhe për Kosovën.
Ai falënderoi udhëheqjen e deritanishme të LDK-së, kryesinë, degët, nëndegët, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë për përkushtimin e treguar gjatë pesë viteve të fundit duke veçuar mirënjohjen për anëtarësinë besnike, të cilën e quajti shtyllë të fuqisë së partisë.
“Zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të LDK-së, përmes një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar dhe çdo strukturë ka zë dhe rol aktiv,” theksoi Hoti.
Ai premtoi ndërtimin e një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi të bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim duke garantuar hapësirë reale për profesionistët, gratë dhe të rinjtë.
Sipas Hotit, potenciali i LDK-së është shumë më i madh se rezultatet aktuale dhe është koha që ky potencial të çlirohet për ta kthyer partinë në forcën kryesore politike dhe qeverisëse në vend, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror.
Në fund, ai theksoi rëndësinë e rikthimit dhe forcimit të vlerave themeltare të LDK-së: demokracisë së brendshme, guximit politik, vizionit shtetformues dhe orientimit euro-atlantik duke bërë thirrje për bashkim, maturi dhe guxim politik në këtë fazë të re për partinë.
“Ky është momenti për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion,” përfundoi Hoti. /Kosova.info/
