Hoti prezanton një plan pesëpikësh për menaxhimin e situatës në veri
Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka reaguar pas ngjarjes të së dielës, ku në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri nga një sulm terrorist i organizuar mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.
Hoti foli rreth koordinimit të veprimeve për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në këtë zonë të ndjeshme.
Ai paraqiti një plan pesëpikësh për menaxhimin e situatës në veri:
1. Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën që shkoi nuk mund të cilësohet si sulm i një grupi të individëve të radikalizuar.
2. Armatimi i konfiskuar dhe sjellja e grupit terrorist dëshmojnë për një sulm terrorist të përgatitur profesionalisht, të cilën gjë mund ta bëjnë vetëm strukturat shtetërore të Serbisë. Nëse kjo nuk qëndron, atëherë Serbia është shtet i dështuar ku mbizotërojnë struktura të armatosura kriminale.
3. Institucionet ndërkombëtare dhe aleatët me të drejtë e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist, por tani duhet me ngulm të kërkohet përgjegjësi nga Serbia në ndjekjen dhe dorëzimin e terroristëve.
4. Institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, në bashkëpunim me aleatët, duhet të ndërmarrin operacione të gjera të kontrollit për të zbuluar të gjithë rrjetin terrorist.
5. Hetimi penal dhe gjykimi i personave të përfshirë në këtë akt terrorist duhet të bëhet sipas ligjit vendor, në respektim të konventave ndërkombëtare përkatëse, me transparencë maksimale, duke i informuar në vazhdimësi akterët ndërkombëtarë të sigurisë që operojnë në Kosovë dhe duke i ftuar ata ta përcjellin gjithë procesin e hetimit dhe gjykimit.
