Hoti: Amendamentet e Vjosa Osmani për presidentin janë “marrëzi politike”

Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj propozimit të presidentes Vjosa Osmani për ndryshime kushtetuese që parashohin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli.

Hoti ka thënë se në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Osmani ka vendosur të sfidojë institucionet duke proceduar amendamente që, sipas tij, janë në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Sipas tij, bëhet fjalë për një përpjekje të dëshpëruar për të ndryshuar rregullat e lojës në momentet e fundit dhe për interesa personale.

“Kjo nuk është reformë kushtetuese. Kjo është marrëzi politike”, ka shkruar Hoti.

Ai ka theksuar se nëse Osmani do të ishte kandiduar nga kryeministri Albin Kurti, askush nga shumica nuk do ta problematizonte faktin që presidenti nuk zgjidhet nga populli.

Sipas Hotit, problemi nuk qëndron te mënyra e zgjedhjes së presidentit, por te mentaliteti politik që, siç tha ai, e trajton pushtetin si pronë personale dhe përpiqet të ndryshojë Kushtetutën për interesa të ngushta politike. /Kosova.info/


Go to TOP