Hoeneß kritikon Nagelsmann: Gjermanisë i mungon kohezioni para Botërorit
Presidenti i nderit të Bayern Munich, Uli Hoeneß ka kritikuar trajnerin e kombëtares gjermane, Julian Nagelsmann për punën dhe mënyrën se si po ndërtohet skuadra në prag të Kupës së Botës 2026.
Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”, Hoeneß është shprehur se mungesa e stabilitetit në përzgjedhjen e formacionit po dëmton skuadrën.
“Gjermanisë i mungon kohezioni dhe kjo është problem kryesor në këtë moment. Nuk mund të luash me ndryshime të vazhdueshme dhe të presësh që skuadra të funksionojë si duhet”, ka deklaruar ai.
Një nga temat më të diskutuara mbetet edhe çështja e portierëve dhe rikthimi i mundshëm i Manuel Neuer. Hoeneß ka theksuar se situata është menaxhuar keq dhe se vendimet e vonuara kanë krijuar tension.
“Nëse do të isha në vend të trajnerit, do të kisha marrë një vendim të qartë shumë më herët. Duhej të dihej saktë kush është numri një në portë, pa krijuar dramë të panevojshme”, është shprehur ai.
Sipas Hoeneß, një vendim më i hershëm do t’i kishte hapur rrugë edhe një rikthimi më të qetë të Neuer në ekip.
“Pa gjithë këtë situatë të zgjatur, Neuer mund të ishte pjesë e kombëtares edhe disa javë para Botërorit”, ka shtuar ai.
Duke analizuar pritshmëritë e Gjermanisë në turne, Hoeneß ka theksuar se skuadra nuk ka ende identitet të qartë.
“Aktualisht, Gjermania nuk ka një strukturë të fortë dhe nuk ka një ekip të stabilizuar. Nëse nuk gjendet ky ekuilibër, shanset për Botërorin janë të kufizuara”, ka thënë ai.
Në krahasim me klubet, Hoeneß ka marrë si shembull Bayern Munich, duke theksuar se suksesi i fundit i klubit ka ardhur nga puna kolektive dhe jo nga individët.
“Te Bayern u pa qartë se çfarë ndodh kur ekipi ka frymë dhe strukturë. Trajneri e përmirësoi çdo lojtar dhe krijoi unitet. Kjo është ajo që i mungon sot kombëtares”, ka deklaruar ai.
Në fund, Hoeneß ka lënë të kuptohet se Gjermania ka potencial, por duhet ndryshim i qasjes në menaxhim dhe më shumë qartësi në vendimmarrje për të qenë konkurruese në Botëror.
