Hill: Nuk është koha e duhur për zgjedhje në veri, jo veç ShBA kështu mendojnë edhe shum të tjerë
“Nuk është koha më e mirë për mbajten e zgjedhjeve” në pjesën veriore të Kosovës, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill. Dhe kështu mendon “jo vetëm ShBA por edhe shumë vende tjera”, tha ai por shtoi se ShBA’ja do t’i shoh për nga afër “të gjitha aspektet e këtyre zgjedhjeve” kur të mbahen. Gjithashtu ai tha se koha më e mirë për të folur për to është në përfundimin e tyre kur të shihet “çfarë në të vërtetë ka ndodhur”.
Hill vazhdoi të thotë se tashmë gjëja më e rëndësishme është zbatimi i Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhë në rend të parë të zbatimit Hill e vendos sërish Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe. “Asociacioni do të jetë testi i aftësisë sonë për të arritur marrëveshje”, tha Christopher Hill në një prononcim për Blic.rs.
“Tashmë janë bërë 10 vite që kur është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit, dhe zbatimi i asaj që është arritur është i rëndësisë më të madhe. Si do të kenë njerëzit besim, nëse nuk mund të zbatojmë atë që është nënshkruar”, ka thënë Hill.
Deklarimi krejt tjetër i Gabriel Escobarit.
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, duke folur në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se edhe me bojkotin e Listës Serbe ShBA do ta njohë legjimitetin e prodhuar nga zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.
“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha Escobar.
