Pas skandalit në përgjime/ Haxhiu kërkon të arrestohet Haxhi Dërguti
Për ish-kryeprokurorin e Apelit, Haxhi Dërgutin ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi ky i fundit ka dalë në disa përgjime që i ka publikuar emisioni ‘KallxoPernime’.
Madje ministrja ka kërkuar edhe arrestimin e Haxhi Dërgutit, por edhe secilit person që përmendet në skandalin e sotëm.
“Haxhi Dërguti ish kryeprokuror i Apelit dhe gjyqtarët por edhe secili person i përfshirë në skandalin e publikuar sot nga kallxo.com, duhet të arrestohen menjëherë”, ka shkruar ministrja në reagim.
“Fenomenet që kanë qenë të njohura prej kohësh, sot po i shohim e dëgjojmë.
Haxhi Dërguti jo vetëm për këtë rast por edhe për shumë raste tjera. Pavarësisht që sot është avokat, ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë që hapin e mbyllin lëndë me para!”.
“Sidomos, në rrethanat kur sistemi nuk është në shërbim të qytetarëve, qytetarët që i qesin sheshit pazaret e skandalet janë shpresa që e keqja mund të luftohet prandaj inkurajoj të gjithë që të ndjekin shembullin e qytetarëve të guximshëm dhe në anën tjetër bëj thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi e cila me padurim po pritet nga qytetarët”, ka theksuar Haxhiu mes tjerash në reagim.

