HESHTJA QË FLET: SKANDALI I RADHËS NË ARSIM? DRAFTI I NAGAVCIT SHTYHET NË HESHTJE MES DYSHIMEVE PËR KONFLIKT INTERESI


Ish-ministrja që hartoi e ligjin, po e procedon vetë si anëtare Komisioni për Arsim në Kuvend. Zyra e Kryeministrit hesht përballë pyetjeve për konflikt interesi dhe ndikim politik.

Heshtja e Zyrës së Kryeministrit për Draft Ligjin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional përveq se është mungesë përgjigjeje, gjithashtu është sinjal i qartë se një proces i diskutueshëm, po shtyhet përpara pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Përballë pyetjeve konkrete për konflikt interesi, për centralizim të kompetencave dhe për ndikim politik në një sektor strategjik, institucionet kanë zgjedhur të mos flasin. Dhe kur institucionet heshtin, dyshimet vetëm sa thellohen.


Në qendër të këtij procesi qëndron ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, figura që e ka iniciuar këtë draft dhe që sot, në një rol tjetër institucional si anëtare e Komisionit për Arsim, po e shtyn përpara të njëjtin ligj. Ky është një rreth i mbyllur vendimmarrjeje që ngre pyetje serioze: a kemi të bëjmë me proces normal ligjvënës, apo me përpjekje për ta imponuar një draft të kontestuar, pavarësisht kritikave të shumta profesionale dhe institucionale?


Sepse kritikat nuk janë të vogla. Gjatë diskutimit publik, institucione vendore dhe partnerë ndërkombëtarë, kanë paralajmëruar qartë për rreziqe të mëdha: mbivendosje kompetencash, paqartësi juridike dhe, mbi të gjitha, krijim të strukturave të cilat e dobësojnë pavarësinë e mekanizmave të cilësisë . Kjo nuk është çështje teknike, është çështje e integritetit të sistemit.
Edhe më shqetësuese është dinamika e shtyrjes përpara të këtij drafti. Në një kohë kur Ministri aktual i Arsimit ka kërkuar publikisht rishikim të tij, drafti po kërkohet të procedohet me urgjencë. Kjo e zhvendos procesin nga një debat profesional në një imponim politik. Dhe pikërisht këtu lind dyshimi më i madh: kush po e udhëheq realisht këtë proces?
Roli i znj. Nagavci në këtë fazë nuk është neutral. Ajo nuk është thjesht deputete e cila shqyrton një draft, ajo është autore e tij. Dhe kur autorja e një ligji e kontrollon edhe rrugën e tij drejt miratimit, kemi një situatë që në çdo standard demokratik do të konsiderohej të paktën problematike, në mos konflikt i hapur interesi.


Këto shqetësime nuk lindin në vakum. Gjatë mandatit të saj në MAShTI, mediat kanë raportuar vazhdimisht për ndërhyrje në procese të ndjeshme të abuzimit, nga përzgjedhja e inspektorëve deri te emërimet dhe komisionet. Kjo krijon modelin e njohur: ndërhyrje në struktura, ndikim në procese dhe përqendrim i kontrollit. Tani, përmes këtij draft-ligji, rreziku është që ky model të formalizohet në ligj.


Dhe këtu hyn dimensioni më i rëndë i kësaj çështjeje: fondet. Arsimi profesional është një nga sektorët më të financuar nga donatorët ndërkombëtarë. Kur një ligj krijon struktura të reja, centralizon kompetenca dhe dobëson pavarësinë e mekanizmave të kontrollit, lind pyetja legjitime: a po krijohet një arkitekturë që lehtëson orientimin e këtyre fondeve përmes kanaleve të kontrolluara politikisht?


Pa përgjigje nga Zyra e Kryeministrit, këto pyetje mbeten të hapura. Dhe sa më gjatë të zgjasë heshtja, aq më shumë ajo perceptohet si shmangie e qëllimshme.


Në çdo demokraci funksionale, ligjet që prekin interesa të mëdha publike dhe financiare kalojnë përmes filtrit të transparencës dhe debatit. Në këtë rast, kemi të kundërtën: një draft i kontestuar, një autore që e shtyn përpara nga një pozitë tjetër dhe një qeveri që zgjedh të mos përgjigjet.
Kjo nuk është më vetëm çështje e një ligji. Kjo është çështje e mënyrës se si ushtrohet pushteti. Dhe kur pushteti fillon të shmangë pyetjet, atëherë problemi nuk është vetëm ligji, por është sistemi që e prodhon atë.

Go to TOP