Hendboll: Kosova synon përmbysjen ndaj Bosnjë e Hercegovinës

Të dielën prej orës 17:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë zhvillohet ndeshja mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Bosnjë-Hercegovinës në hendboll.

Është kjo ndeshja e kthimit e raundit të dytë kualifikues për Kampionatin Botëror të vitit 2027.

Ndeshjen e parë të luajtur të enjten në Tuzla, boshnjakët e fituan me rezultatin 34:21.

Kombëtarja jonë kërkon të reagojë në ndeshjen e kthimit, ndërsa fitorja do të ishte me shumë vlerë për të ardhmen.

Për të rritur gjasat për sukses, Kombëtares sonë i duhet përkrahja e shikuesve nga tribunat.

Hendbollistët tanë të premten janë kthyer nga Bosnjë-Hercegovina dhe tashmë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e së dielës. Synimi është i qartë – fitorja për të përmirësuar përshtypjet e ndeshjes së parë dhe për të përmirësuar pozitën e Kombëtares për të ardhmen. /Kosova.info/

Go to TOP