Haxhiu: MKRS të sqarojë kontratën prej 1.3 milionë eurosh për barin sintetik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të tregojë për kontratën, sipas tij, një burimore për fushën me bari sintetik hibrid në vlerë 1.3 milionë që ka të bëjë me rregullimin e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Haxhiu, në një postim në Facebook, ka thënë se këtë çështje e ka ngritur në Kuvend dhe se ka kërkuar që Prokuroria të hetojë këtë rast.

“Ministri duhet të tregojë për kontratën një burimore për fushën me bari sintetik hibrid në vlerë 1.3 milion qe në çmimet e tregut nuk kushton me shumë se 270-300 mijë euro. Unë e kam ngritur në Kuvend këtë zhvatje, vjedhje, korrupsion të Qeverisë dhe kam kërkuar që Prokuroria të hetoj këtë rast, ku u “tretën” 1 milion euro me kontratën një burimore?”

Haxhiu, pyet se si u transferuan paret nga MKRS në OJQ dhe si u formua komision i përbashkët MKRS-FFK, me qëllim zhvatjen e 1 milion eurove.

“Degradim i sportit, keqpërdorime, zhvatje, dështime në infrastrukturën sportive, dështime në organizim, dhunë fizike edhe në garat e fëmijëve – kjo është pasojë e keqmenaxhimit që po ndodh në sektorin e sportit. Ministri del merr poza e lavderohet me zhvatjen e 1 milion eurove të parasë publike”, shkruan, pos tjerash, Haxhiu. /Kosova.info/

Go to TOP