Haradinaj kundër rrezikimit të financimit të RTK-së

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj shqetësimeve për rrezikimin e financimit të Radio Televizionit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një veprim të gabuar që mund të perceptohet si presion ndaj pavarësisë editoriale të transmetuesit publik.

“Nuk është në rregull, sepse RTK është transmetuesi i vetëm publik dhe financohet nga Kuvendi. Kjo mund të interpretohet si një formë shantazhi ose kërcënimi ndaj politikave redaktuese dhe ndaj shumë çështjeve të tjera”, u shpreh Haradinaj.

Ai rikujtoi se gjatë mandatit të tij si kryeministër ishte miratuar ligji për sponsorizim në sport dhe shtoi se Kosova ka nevojë për një qasje të ngjashme edhe në mbështetjen e mediave.

“Duhet të miratojmë një ligj që njeh investimet në media, qoftë publike apo private. Ata që bëjnë sponsorizime në media duhet të përfshihen në politikat lehtësuese të taksave”, theksoi Haradinaj.


Go to TOP