Haradinaj e Gjini në Gjakovë: Kemi listën më të mirë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar fushatën elektorale në komunën e Gjakovës. Kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj theksoi se lista e AAK-së në Gjakovë është një garanci për qytetarët, të cilët, sipas tij, kanë arsye të forta për ta votuar këtë subjekt politik.
“Unë besoj shumë që çdo qytetar i Gjakovës, ka arsye pse të votojë këtë listë, e ka votën më të sigurt, e ka perspektivën më të sigurt. Dritë keni bërë gjatë qeverisjes, jeni shpresë për shumë tjerë”, tha Haradinaj në këtë aktivitete elektoral.
Kandidati për kryetar të Gjakovës nga AAK, Ardian Gjini, tha se lista e kësaj partie përfaqëson vizionin e përbashkët për zhvillimin e komunës dhe barazinë mes të gjithë kandidatëve.
“Nuk është lehtë të bëhet një listë prej 38 kandidatësh kur ne kemi qytetin , 88 fshatra të banuara, kemi vëllezër katolik, vëllezër mysliman, gra, burra, profesione. Krejt këto karakteristika duhet t’i përmbledhim në 38 persona, nuk është lehtë. Këta që janë, të gjithë janë të jashtëzakonshëm, që përfaqëson secilin, që e bën secilin qytetar të Gjakovës të ndjehet mirë”deklaroi Gjini.
Takimi në Gjakovë u përmbyll me zotimin për një fushatë gjithëpërfshirëse dhe mobilizim të strukturave të Aleancës, me synimin për të siguruar fitore në zgjedhjet lokale.
