Hapet Ekspozita ‘Art nga Burgu’ në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton se sot në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Monumenta”, ka hapur ekspozitën “Art nga Burgu” në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Në njoftim thuhet se kjo ekspozitë përmban vepra të krijuara nga të burgosurit, të cilat pasqyrojnë transformimin e tyre personal.

“Ky proces krijues nxit reflektim, vetëdije dhe shpesh, një rikthim në shoqëri si individë të përgjegjshëm dhe të ndjeshëm. Kjo është një dëshmi e qartë se si arti dhe aktivitetet krijuese mund të luajnë një rol kyç në rehabilitimin dhe rindërtimin e jetës së tyre”, thuhet në njoftimin e Shërbimot Korrektues.

Nëpërmjet këtyre veprave, vizitorët mund të shohin më shumë se thjesht art. Ata do të shohin ndjeshmërinë, shpresën dhe forcën e karakterit të këtyre individëve. Programet artistike të këtij lloji nuk janë vetëm një mënyrë për të kaluar kohën, por një mjet i fuqishëm për të promovuar ndryshimin e vërtetë dhe të qëndrueshëm.

Veprat artistike do të shiten në ankand, ndërsa mjetet do të depozitohen në kontot personale të të burgosurve. /Kosova.info/

Go to TOP