Hamza: Bizneset që investojnë dhe hapin vende pune do ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit, Qeveria Kurti ka dështuar
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë me dije se bizneset që investojnë dhe hapin vende pune do ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit në qeverisjen e tij.
Derisa ka vizituar kompaninë “Muqa Solar”, të cilën e ka cilësuar si një shembull të investimeve të mençura, ka theksuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet të mbështetet tek bizneset prodhuese, inovative dhe investimet në energjinë e pastër.
“Muqa Solar” është dëshmi se investimet e mençura krijojnë vlerë për ekonominë dhe mirëqenie për qytetarët. Bizneset që investojnë, hapin vende pune dhe sjellin inovacion do ta kenë gjithmonë mbështetjen e shtetit në qeverisjen time. Pas rreth gjashtë vitesh me shpenzime rekord, qytetarët ende presin projektet kapitale që iu premtuan. Ku janë autostradat, fabrikat, çerdhet, stadiumet, parqet solare, digat dhe shumë projekte të tjera? Qytetarët tashmë e dinë se kjo qeveri ka dështuar dhe vendi ka nevojë për ndryshim”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
