Hamiti: Duke votuar kundër VV-së më 7 qershor, qytetarët shpëtojnë veten dhe shtetin e Kosovës

Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka ftuar qytetarët që më 7 qershor t`i thonë “jo” VV-së.

Në këtë mënyrë, ka vlerësuar ai, qytetarët shpëtojnë veten dhe shtetin e Kosovës.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se pasnesër qytetarët e kanë mundësinë që ta kthejnë Kosovën në rrugë të mbar.

“Në Kosovë kontrolli dhe balanci reciprok i pushteteve (angl. checks and balances) është cenuar prej kur Vetëvendosja (VV) e ka kërkuar më 2021 pushtetin ‘krejt dhe drejt’, domethanë pushtetin absolut, që e ka realizuar në shkallë të madhe në këto 5-6 vite, duke shkaktuar paralizë shoqërore, ekonomike dhe institucionale në vendin tonë. Albin Kurti me VV-në e tij po e riafirmon ambicien për kontroll të plotë të pushtetit, që do të përfshinte kontroll mbi legjislativin, ekzekutivin, gjyqësorin dhe median”, ka shkruar ai, duke ftuar qytetarët për ndryshim.

“Mekanizmi kryesor vetërregullues në demokraci janë zgjedhjet. Prandaj, mbasnesër, më 7 qershor, qytetarët e Kosovës e kanë mundësinë ta kundërshtojnë këtë ambicie të rrezikshme të pushtetit aktual për pushtet absolut, anti-demokratik. Duke u kthyer në rrugën demokratike, duke i dhënë me votë një JO kumbuese kësaj ambicieje, duke e nxjerrë VV-në në opozitë, qytetarët e shpëtojnë veten dhe shtetin e vet nga katandisja e mëtejme e Kosovës. E kthejnë vendin tonë në rrugë të mbarë të zhvillimt shoqëror dhe ekonomik dhe të integrimeve euro-atlantike, në rrugën që e ka shtruar Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe e kanë ndjekur qeveritë e Kosovës para se të vinte Qeveria e Vetëvendosjes në pushtet më 2021”, ka shkruar ai.

Go to TOP