Haliti: Me zemrën e lirisë sonë, po e çojmë përpara amanetin e dëshmorëve
Kryetari dhe kandidati për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka zhvilluar sot një takim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve dhe përfaqësues të organizatës së invalidëve të luftës.
Haliti e cilësoi këtë takim si një nder të madh duke theksuar se çdo dorështrëngim dhe çdo kujtim me ta është një kujtesë e gjallë e sakrificës që ndërtoi shtetin e Kosovës me gjak, krenari dhe dashuri për atdheun.
“Çdo dorështrëngim, çdo fjalë, çdo kujtim i tyre është kujtesë e gjallë e sakrificës që ndërtoi shtetin tonë me gjak, krenari e dashuri për atdheun, simbol i qëndresës, i besës dhe i shpirtit shqiptar që nuk dorëzohet kurrë,” tha Haliti.
Ai shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kontribuuan në lirinë e vendit duke u zotuar se do të vazhdojë punën për ta çuar përpara amanetin e tyre.
“Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit, respekt e mirënjohje të pakufishme për çdo veteran që mbrojti ëndrrën tonë për liri. Ne po e çojmë përpara amanetin tuaj, me zemër, me punë dhe me dashuri për këtë tokë të bekuar,” përfundoi Haliti. /Kosova.info/
