Haliti me Forumin e Gruas: Gratë janë forca që e mbajnë gjallë Vitinë

Kandidati për kryetar të komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka zhvilluar sot një takim të ngrohtë e frymëzues me Forumin e Gruas në zemër të qytetit, ku vlerësoi rolin jetik të grave në zhvillimin e komunitetit dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë për të gjithë qytetarët.

“Me Forumin e Gruas, për Vitinë përtej! Sot ndjeva fuqinë, urtësinë dhe shpirtin e palodhur të grave që e mbajnë gjallë çdo familje, çdo fshat dhe vetë frymën e komunës sonë,” deklaroi Haliti.

Ai falënderoi anëtaret e forumit për mikpritjen, për fjalët e mençura dhe për energjinë e pastër që, siç tha ai, e shndërrojnë çdo ditë në veprim, përkushtim e forcë.

“Ju jeni forca që mban gjallë shpresën tonë për një të ardhme më të drejtë, më dinjitoze dhe më të barabartë për të gjithë,” shtoi Haliti duke shprehur mirënjohje të veçantë për Forumin e Gruas për organizimin masiv dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Haliti theksoi se rrugëtimi i përbashkët për Vitinë do të vazhdojë me vendosmëri, dashuri dhe përkushtim ndaj qytetarëve.

“Rrugëtimi ynë vazhdon bashkë, me zemër, me vendosmëri dhe me dashuri për Vitinë tonë. Ju faleminderit pa fund për gjithçka!”, përfundoi Haliti. /Kosova.info/


Go to TOP