Hajnat ia thyen nofullën Aubameyangut, zbulohet periudha se sa javë do të mungojë ai

Pierre-Emerick Aubameyang besohet se ka pësuar thyerje të nofullës pasi është sulmuar fizikisht nga hajnat, që i kishin hyrë në shtëpi për të vjedhur, duke e tmerruar atë dhe familjen.

Sulmuesit të Barcelonës ka mundësi që do t’i duhet ta kryejë një intervenim kirurgjik për t’i kaluar lëndimet, ndërsa ky do të jetë një faktor i rëndësishëm për ta komplikuar transferimin e tij në Chelsea para mesnatës së nesërme, raporton mediumi britanik “The Athletic”.

Raportohet se Aubameyang ka qenë viktimë e sulmit të një grupi prej katër personash, të cilët kishin me vete armë të ftohta, respektivisht shufra të hekurta, ndërsa ata e sulmuan fizikisht edhe gruan e tij, Alysha Behague, derisa i tmerruan edhe dy fëmijët e tyre në orët e hershme të mëngjesit të së hënës.

Pra, sulmuesi gabonez nuk do të jetë në gjendje të luajë deri në tri javë derisa të shërohet plotësisht, ndërsa me familjen po merren psikologët, pas pasojave psikologjike.

Atij mund t’i nevojitet operimi, për ta përshpejtuar rikthimin, para se ta presë shërimin natyral.

Momentalisht, ish-futbollisti i Milanit, Borussia Dortmundit dhe Arsenalit është vendosur në një hotel në Barcelonë me familjen. 


Go to TOP