Hadergjonaj regjistrohet si deputet i Kuvendit të Kosovës: Misioni im mbetet i pandryshuar – përherë ushtar i vendit tim
Pas pjesëmarrjes në akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe veçanërisht komandantit Agim Ramadani – “Katana”, Fadil Hadergjonaj Bjeshka ka bërë të ditur se është regjistruar për herë të parë si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
“Ndjenja dhe emocioni patjetër se të kthen në ditët e lavdisë dhe krenarisë kombëtare, aty ku liria, pavarësia dhe demokracia i kanë rrënjët”, shkroi Hadergjonaj duke theksuar se kalimi nga një ambient përkujtimor në ndërtesën e Kuvendit, themelet e së cilës qëndrojnë mbi gjakun e heronjve, është nder dhe përgjegjësi e madhe.
Ai u zotua se do të vazhdojë të jetë “ushtar i vendit dhe kombit”, falënderoi të gjithë ata që i besuan këtë detyrë dhe e mbylli reagimin e tij me një thirrje për lavdi dëshmorëve dhe bekim për Kosovën dhe kombin shqiptar. /Kosova.info/
