Guardiola: Ne po konkurrojmë me Real Madridin dhe Bayern Munich

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, është shprehur i lumtur që skuadra e tij mundi Copenhagen dhe u kualifikua në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

Kampionët në fuqi të Evropës, mbrëmë mundën skuadrën daneze (3-1), duke kaluar në rundin e radhës në elitën e futbollit evropian.

Strategu spanjoll pas ndeshjes tha se fitorja ndaj Copenhagen nuk ka qenë e lehtë, sepse sipas tij, ekipi danez është një skuadër e organizuar mirë.

“Ne jemi në raundin tjetër. Ishte e vështirë t’i sulmojmë, sepse ata janë të organizuar mirë duke luajtur me katër ose pesë mbrojtës”, ka thënë Guardiola.

Tekniku spanjoll mendon se City është skuadër e madhe, sepse sipas Guardiolës, të besuarit e tij po konkurrojnë me skuadrat e mëdha si Real Madrid e Bayern Munich.

“Ne po konkurrojmë me Real Madridin dhe Bayern Munich. Ne nuk e dimë se me kë do të përballemi, të presim dhe të shikojmë. Të rëndësishme janë shtatë vite radhazi që jemi në çerekfinale”, ka theksuar ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munich. 

Go to TOP