Grupi paramilitar rus ‘Wagner’ shtrin ndikimin e tij në Serbi

Grupi paramilitar “Wagner”, udhëheqësi i të cilit është Yevgeny Prigozhin, një biznesmen rus dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, njoftoi në kanalin “Telegram” se qendra e tyre kulturore dhe informative e miqësisë dhe bashkëpunimit “Orly” është formuar në Serbi.

“Ju prezantojmë me shpejtësi rezidentin e ri të Qendrës PMC Wagner – Qendra Kulturore dhe Informative Ruso-Serbe e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ANO, ‘Orly’.

Ideologu dhe udhëheqësi i Qendrës është Aleksander Lisov”, thonë ata në platformën Telegram, raporton gazeta serbe “Danas”, transmeton Klan Kosova.

Ata kujtojnë se në vitin 2017, “si rezultat i aktiviteteve të tij bamirëse, autoritetet e Prishtinës e kanë përfshirë Lisovën në listën e personave të ndaluar për të hyrë në territorin e Republikës së panjohur të Kosovës”.

Ekipi i qendrës e quan misionin e saj zbatim të diplomacisë publike, qëllimi i së cilës është “forcimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve miqësore” midis Rusisë dhe Serbisë me ndihmën e “fuqisë së butë”.

“Shqiponjat, si repart i Qendrës PMC Wagner, merren me konfrontime informative me liberalët rusë që kanë shkuar në Serbi dhe po përpiqen të kryejnë aktivitete antiruse atje me qëllim të diskreditimit të Rusisë dhe përkeqësimit të marrëdhënieve midis popullit rus dhe serb”.

Ndër të tjera, thuhet në publikim, ata “së bashku me bashkëpunëtorë nga Serbia dhe Rusia” i kanë ngritur monumentin princit të shenjtë rus Alexander Nevsky në qendër të Beogradit.

Duke reaguar në Twitter, Ivana Stradner, bashkëpunëtore hulumtuese e Fondacionit Amerikan për Mbrojtjen e Demokracisë dhe eksperte për luftën hibride, propagandën ruse dhe dezinformimin, kujton se disa muaj më parë kishte paralajmëruar këtë lloj bashkëpunimi mes Rusisë dhe Serbisë.

Go to TOP