Gonzato: SPAK duhet të kryejë punën e vet në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, thekson rëndësinë e punës së Prokurorisë së Posaçme dhe reformës në drejtësi në Shqipëri

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ka dhënë një mesazh të qartë nga Shkodra, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme duhet të lejohet të kryejë punën e saj. Duke vlerësuar reformën në drejtësi, Gonzato ka theksuar se rezultatet e punës së SPAK janë ato që BE ka pritur. Sipas tij, korrupsioni mbetet pengesa kryesore e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

“Ne nuk flasim për hetime që po zhvillohen, por mund të them se ajo që po ndodh është ajo që ne kemi pritur. Dhe natyrisht se Reforma në Drejtësi e vitit 2016 është duke funksionuar. Ne duhet të lejojmë SPAK të bëjë punën e vet, të krijojmë hapësirën që ta bëjnë këtë. Në të njëjtën kohë mund të them se ndoshta ajo reformë siguron që sistemi gjyqësor është i pavarur, i pavarur nga ndikimi politik.

Dhe problemi që të gjithë e dimë që është pengesa kryesore e Shqipërisë në rrugën drejt BE është korrupsioni. Mendoj se është sinjal i mirë, unë besoj dhe shpresoj se SPAK do bëjë punën e tij. Por ne nuk duam të shikojmë aspektin ndëshkues, por edhe strukturën, atë mjedis që krijon këtë mundësi për korrupsion të adresohet”, u shpreh ai.

Deklarata e ambasadorit Gonzato është bërë në fund të një takimi të organizuar në Shkodër, në kuadër të programit “BE për bashkitë”, ku u analizuan arritjet e tre viteve të fundit në bashkitë ku u zbatua.

Go to TOP