Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, dëshmitarja thotë se pranimi i tani të akuzuarve në punë ka qenë zgjedhje e pavarur

Në gjykimin për korrupsion e krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe të akuzuarve tjerë, dëshmitarja Branka Janicijeviq deklaroi se pranimi i tani të akuzuarve në punë në Komunën e Leposaviqit, ka qenë zgjedhje e pavarur dhe se nuk ka pasur ndikim nga jashtë.

Në aktakuzë thuhet se Jabllanoviq i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Çedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.

Në këtë rast, aktakuza ngarkon Jabllanoviqin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Janicijeviq deklaroi se në konkursin e parë për pranimin e punëtorëve në Komunën e Leposaviqit, kishte qenë kryetare e komisionit.

Ajo ka sqaruar procedurën e shpalljes së konkursit, ku tha se pas marrjes së pëlqimeve të nevojshme, shërbimet profesionale në komunë kishin përpiluar tekstin e konkursit, i cili konkurs më pas është shpallur në gazetë.

Pas mbledhjes së dokumentacioneve, dëshmitarja Janicijeviq tha se është formuar komisioni nga kryetari dhe qytetarët të cilët kanë plotësuar kushtet, kurse tha se në bazë të përvojës së punës dhe në bazë të përgatitjes profesionale është bërë pranimi i personave.

E njëjta tha se kandidatët e pakënaqur kanë pasur edhe të drejtë ankese në komisionin e formuar.

Dëshmitarja Janicijeviq ka mohuar të ketë pasur ndikim nga dikush për pranimin e ndonjë personi të caktuar.

Ajo tha se pranimi në punë i personave tani të akuzuar ka qenë zgjedhje e pavarur, kurse tha se në pozitën e saj si drejtoreshë e një drejtorie në Komunë ishte emëruar nga i akuzuari Dragan Jabllanoviq, me të cilin tha se vjen nga i njëjti vend dhe nuk ka asgjë personale.

Më pas, seanca ka vazhduar me administrimin e provave nga prokurorja speciale Merita Bina-Rugova, e cila ka mbetur pranë provave të propozuara në aktakuzë.

Megjithatë ajo tha se i vie keq për provat të cilat ajo konsideron si të propozuara në aktakuzë për shkak të faktit se nuk janë të ndara nga dosjet e tenderit dhe kontratave, ngase nuk janë të precizuara me numër dhe datë në propozimin e aktakuzës dhe tani duhet të trajtohen si prova të reja.

Prokurorja Bina-Rugova ka kërkuar kohë deri nesër që të bëjë precizimin e provave të reja me data dhe me numra.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Jabllanoviq, avokati Ramë Gashi ka kundërshtuar provat në aktakuzë, duke i konsideruar thelbësisht të pambështetshme.

Të gjithë mbrojtësit e tjerë, kanë përkrahur avokatin Gashi dhanë vërejtje për prova në kuptim të mbrojtjes.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Go to TOP