Gjykata Supreme shfuqizon nenin e Rregullores së MAShTI-t, rikthehet autonomia e shkollave në përzgjedhjen e stafit

Këshilli Drejtues i një shkolle ka shënuar fitore në Gjykatën Supreme të Kosovës në një rast ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Me këtë vendim, Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar Nenin 21 të Rregullores 19/2024 duke rikthyer kompetencat e shkollave në procesin e përzgjedhjes së personelit arsimor.

Sipas këtij vendimi, nuk do të lejohet më shpallja e konkurseve me grup-pozita, ndërsa vendimmarrja për përzgjedhjen e stafit do t’u kthehet vetë shkollave, aty ku edhe sipas palës fituese i takon të bëhet.

Në përbërjen e komisioneve vlerësuese për çdo pozitë, tani e tutje do të jenë tre përfaqësues nga shkolla: drejtori i institucionit dhe dy anëtarë të Këshillit Drejtues të Shkollës.

Këshilli Drejtues i Shkollës e ka vlerësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës, profesionalizmit dhe respektimit të ligjit në sistemin arsimor.

Sipas tyre, kjo fitore nuk i përket vetëm një shkolle apo një këshilli, por të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, pasi forcon autonominë institucionale dhe rolin e komunitetit shkollor në vendimmarrje.

Ata kanë falënderuar të gjithë mbështetësit e procesit duke veçuar anëtarin e Këshillit Drejtues, Arben Nitaj, i cili ka iniciuar padinë dhe ka ndjekur procesin gjyqësor duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm profesional në këtë çështje.

Në fund, Këshilli Drejtues thekson se do të vazhdojë angazhimin për reforma që synojnë një arsim më të drejtë dhe më cilësor në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP