Gjuha serbe në UP -“urë” ndërmjet komuniteteve dhe lehtësim për punësimin e studentëve

Redon Shishko është një ndër 17 studentët e Ballkanistikës, Departamentit më të ri në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, i cili ofron mësimin e gjuhës shqipe, serbe dhe gjuhëve tjera të Ballkanit bashkë me letërsinë, kulturën dhe historinë e tyre. Kureshtja për të mësuar gjuhë të huaja dhe mjedisi social në të cilën ai jeton ku flitet gjuha shqipe, turke dhe ajo serbokroate, e bëri Shishkon t’a sfidojë vetën për t’u bërë pjesë e programit katërvjeçar.

“Jo vetëm që më duket se të mësuarit e gjuhëve ballkanike më ofron mundësi të shumta për karrierë, por besoj se më ofron edhe shumë për të mësuar për kulturën e fqinjëve ballkanikë”, deklaroi Shishko. Ai po ashtu beson se kjo ndihmon edhe në ndërtimin e raporteve të mirëfillta ndërmjet komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë.
Pas disa dekadash, Ballkanistika ka bërë që gjuha serbe të ligjërohet përsëri në ambientet akademike të Kosovës. E gjithë kjo sipas dekanës së Fakultetit Filologjik, Lindita Sejdiu Rugova, u jetësua si pasojë e kërkesave të komuniteteve joshqipfolëse, si serbët, boshnjakët dhe goranët, që edhe ata të kenë një program në gjuhën e tyre.

“Prioritetit i Ballkanistikës është që dy vitet e para të ketë vetëm mësim të gjuhës, që nënkupton se shqiptarët do të mësojnë gjuhën ballkanistike që ata e zgjedhin, ndërkaq komunitetet joshqiptare do të mësojnë shqipen”, tha Sejdiu Rugova.

Përveç faktit se Kosova është një shtet multigjuhësor dhe multikuluturor, ajo shtoi se motivimi për të mësuar gjuhën serbe nga studentët shqiptarë është përqendruar pikërisht tek punësimi më i lehtë qoftë si përkthyes apo edhe për pozita të ndryshme që lidhen me një ndërveprim rajonal në Ballkan.

“Analizat e tregut të punës tregojnë se në shumë institucione, sidomos gjykata, plot lëndë kanë mbetur pa u përfunduar si shkak i mungesës së përkthyesve serbisht-shqip apo anasjelltas” tha tutje Sejdiu Rugova.

Një pohim të tillë e dha edhe shefja e departamentit të Ballkanistikës, Seniha Krasniqi, e cila shprehu se ky program është hartuar duke marrë parasysh nevojat e vendit dhe tregut të punës në fushën e gjuhësisë, përkthimit, mësimdhënies dhe komunikimit ndër-gjuhësor dhe ndër-kulturor.

“Studentët kanë mundësi punësimi në 3 fusha dhe në pozita si përkthyes, mësimdhënës, këshilltarë për çështjet e Ballkanit në organizatat qeveritare dhe joqeveritare (vendore apo ndërkombëtare), ekspertë në sektorin publik për komunikime rajonale, ekspertë për çështje kulturore dhe historike të Ballkanit”, tha ajo.

Anash fokusit për punësim, meqë një komponent i Ballkanistikës është hulumtimi dhe njohja e kulturës së Ballkanit, studentët e këtij programi udhëtojnë edhe për vizita kulturore me qëllim të njohjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të Ballkanit. Sipas Krasniqit, gjatë këtyre aktiviteteve, studentët shqiptarë dhe ata joshqiptarë njoftohen më shumë me ç’rast afërsia dhe komunikimi mes tyre nuk mungon.

Rritja e numrit të studentëve që e flasin dhe e shkruajnë gjuhën serbe në nivel akademik, sipas sociologut Artan Muhaxhiri, do të ndikojë në ngritjen e kualitetit dhe sasisë së informatave të transmetuara në rajon nga sfera publike.

“Përfshirja e mirëfilltë e perspektivave kosovare në diskurset që zhvillohen në vendet fqinje – posaçërisht në Serbi, do të kontribuojë në faktorizimin tonë kulturor dhe intelektual, si dhe në korrigjimin gradual drejt objektivitetit të qëndrimeve tyre të disbalancuara prej mungesës së të vërtetave tona”, deklaroi sociologu.

Sipas tij, mësimi i gjuhës serbe në programin e Ballkanistikës do të thotë zmadhim të tregut potencial për bashkëpunime, botime dhe shpërndarje të përmbajtjeve kulturore dhe publicistike kosovare.

Nga ana tjetër, në radhën e katër studentëve nga komuniteti joshqiptar, Suzana Marić po studion gjuhën shqipe të cilën e konsideron aftësi të vlefshme në botën e sotme të globalizuar.

“Mësimi i shqipes më ka thelluar të kuptuarit e kulturës dhe historisë shqiptare, duke më mundësuar të vlerësoj më plotësisht letërsinë, muzikën, artin dhe shprehjet e tjera kulturore shqiptare”, deklaroi ajo duke theksuar se njohja e gjuhës shqipe ka pasur efekte tejet pozitive në raport me shqiptarët.

Ndryshe në kuadër të Ballkanistikës, ekziston edhe “Qendra e Gjuhëve” e cila konsiderohet si pikë mbështetëse e programit që ofron kurse falas për mësimin e gjuhëve që ndihmojnë në zhvillimin e komunikimit të studentëve.

Programi i Ballkanistikës i cili u akreditua së fundmi në vitin 2018 është vlerësuar shumë pozitivisht në raportin e Progresit për Kosovë dhe sipas hartuesve të programit kjo ka bërë jehonë të madhe pozitive në qarqet e BE-së.

Artikulli publikohet në kuadër të programit “UN Community Volunteers in Journalism”.

Go to TOP