Gjithçka gati, në ambasadën amerikane pritet të nisë diskutimi për Asociacionin

Në Ambasadën amerikane në Prishtinë po pritet të mbahet takimi ku do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa të ftuar janë zyrtarë nga Presidenca, zyrtarë qeveritarë, liderë partiakë, diplomatë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Deri më tani në ambasadë kanë arritur Nenad Rashiq, Arben Vitia, Donika Gervalla, Lutfi Haziri, Elbert Krasniqi, Emilja Rexhepi, Aleksandar Jablanoviq, Ilir Kërçeli (nga zyra e Glauk Konjufces), Luan Dalipi (nga zyra e kryeministrit), Blerim Vela (nga zyra e Presidentes).

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë përmes një postimi në Twitter ka njoftuar se gjithçka është gati që të nis takimi ku do të diskutohet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Sot në mëngjes, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë do të mbajë një takim për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Ne mezi presim të dëgjojmë perspektiva të menduara nga një grup i ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë dhe liderë politikë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një tekst autorial për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Lidhurme këtë takim, vetë Kurti kishte deklaruar se nuk është ftuar.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, ishte shprehur ai në një intervistë për REL.

Ndryse, Fondacioni Friedrich Ebert-Stiftung në Prishtinë ka prezntuar propozimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Radio Televizioni Dukagjini ka siguruar draftin e Asociacionit i cili është hartuar si propozim nga fondacioni gjerman “Fridrih Ebert Shtiftung”.

Presioni i shtuar dukshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë ka rezultuar me hartimin e një drafti të statutit si propozim për këtë mekanizëm.

Drafti është hartuar nga Fondacioni gjerman për social demokraci “Friedrich Ebert Stiftung”.

Ai përmban 18 nene. Që në nenin e parë theksohet se Asociacioni është një entitet legal i themeluar në bazë të Kushtetutës dhe sistemit ligjor të Republikës së Kosovës.

Go to TOP