Gjermania në ‘luftë’ me zjarret
Qindra zjarrfikës luftuan me zjarre të shumta pyjore në të gjithë Gjermaninë lindore të enjten, pasi një valë e fortë nxehtësie i çoi temperaturat afër 40 gradë Celsius (104F).
Një zjarr i madh në rajonin Gohrischheide të Saksonisë është përhapur në afërsisht 200 hektarë (494 akra) pyll, sipas transmetuesit publik ARD, me flakët që përparojnë drejt veriut pavarësisht përpjekjeve për ta vënë nën kontroll gjatë natës.
Rreth 500 zjarrfikës dhe personel emergjence u vendosën në zonë, dhe dy prej tyre pësuan lëndime të rënda, thanë autoritetet, shkruan AA, transmeton KosovaPress.
Tre lokalitete në Saksoni – Zeithain, Wulknitz dhe qyteti i Groditz – kanë shpallur gjendje emergjente për shkak të katastrofave, pasi zjarret kërcënojnë komunitetet përreth.
Zyrtarët thanë se zjarri po digjet në një ish-fushë stërvitjeje ushtarake, duke komplikuar përpjekjet e shuarjes së zjarreve për shkak të pranisë së municioneve të pashpërthyera.
Ndërkohë, në Turingjinë fqinje, zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë atë që zyrtarët e përshkruajnë si zjarri më i madh pyjor i shtetit në tre dekada. Pavarësisht përpjekjeve gjatë natës, flakët pranë Gosselsdorf janë zgjeruar në afërsisht 300 hektarë (741 akra), me erëra të forta që pengojnë kontrollin.
Të martën, një zjarr i dhunshëm në Spanjë, i nxitur nga nxehtësia ekstreme, vrau dy persona.
Pjesa më e madhe e Evropës është përfshirë nga një valë të nxehti rekord këtë javë.
