Gjermania e shqetësuar për tensionet Kosovë-Serbi

Gjermania shprehu të hënën shqetësimin pasi mosmarrëveshja për targat e automjeteve ka rritur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.

“Mund t’ju them se jemi shumë të shqetësuar për përshkallëzimin”, tha të hënën Andrea Sasse, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane.

“Apeli ynë urgjent për të dyja palët në konflikt është që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe ta zgjidhin këtë konflikt në bisedime të drejtpërdrejta. Bëhet fjalë për të bërë kompromise pragmatike tani,” shtoi ajo.

Serbët e Kosovës janë tërhequr nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale në shenjë proteste ndaj vendimit të Prishtinës për zëvendësimin e targave të lëshuara për serbët nga autoritetet serbe me targa të Republikës së Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territorin e saj.

Prishtina thotë se do të fillojë të shqiptojë gjoba këtë muaj për shoferët serbë që përdorin targa të vjetra të para-pavarësisë dhe do të konfiskojë automjetet me numra të vjetruar të regjistrimit pas 21 prillit 2023.

BE u ka kërkuar gjithashtu të dyja palëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm.

Ndërsa u bëri thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre për dialog dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale; ajo kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të zgjasin procesin e ri-regjistrimit të automjeteve dhe të pezullojnë çdo veprim ndëshkues ndaj mbajtësve të vjetër të targave.

Go to TOP