Gjeorgjia pezullon përkohësisht anëtarësimin në BE
Parlamenti Evropian dje miratoi një rezolutë, me të cilën kërkon që zgjedhjet e mbajtura në Gjeorgji të përsëriten për shkak të parregullsive, duke fajësuar partinë në pushtet. Menjëherë pas kësaj, kryeministri i Gjeorgjisë ka njoftuar se vendi pezullon procesin e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2028, gjë që nxiti protesta gjithandej vendit.
Gjeorgjia e ka pezulluar përkohësisht kërkesën për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, pasi Parlamenti Evropian votoi për të mos e pranuar rezultatin e zgjedhjeve që u mbajtën kohë më parë në Këtë vend.
Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, e ka akuzuar bllokun evropian për shantazh dhe ka thënë se qeveria e tij heq dorë nga rruga drejt anëtarësimit deri në fund të vitit 2028. Megjithatë, ai ka shtuar se vendi do të vazhdojë implementimin e reformave të nevojshme për anëtarësim dhe se ende planifikon t’i bashkohet unionit deri në vitin 2030.
Njoftimi i kryeministrit ka nxitur protesta nëpër qytete gjithandej vendit. Në kryeqytetin Tbilisi janë mbledhur mijëra qytetarë, duke e bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe duke valëvitur flamuj evropian. Në mesin e protestuesve është parë edhe presidentja e vendit.
Që nga viti 2012 Gjeorgjia udhëhiqet nga Partia e Ëndrrave, të cilën kritikët e kanë akuzuar se po përpiqet ta largojë vendin nga BE dhe ta afrojë me Rusinë. Kjo parti shpalli fitoren në zgjedhjet e muajit të kaluar, por deputetët opozitar po e bojkotojnë parlamentin e ri për shkak të mashtrimeve, derisa presidentja e vendit Salome Zurabishvili, zgjedhjet i ka quajtur jokushtetuese.
Ngjarjet e fundit në këtë vend kanë ndodhur disa orë pasi ligjvënësit evropian kërkuan që zgjedhjet e muajit të kaluar të përsëriten për shkak të, siç kanë thënë, parregullsive.
Të enjten parlamenti evropian e miratoi një Rezolutë me të cilën procesin e zgjedhjeve në Gjeorgji e përshkroi si krizën më të rëndë demokratike në vend, duke fajësuar partinë në pushtet.
Gjeorgjia,statusin e vendit kandidat për në BE e ka që nga viti 2023.