Gjenden trupat e nënës dhe djalit të saj, që dyshohet se u vetëmbytën në Shkodër

Zhytësit i kanë gjetur edhe trupat e Alma Arrazit dhe djalit të saj 3 vjeç të martën, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. Alma Arrazi dyshohet se u vetëmbyt bashkë e tre fëmijët e saj të mitur në lumin Buna në veriperëndim të Shqipërisë ditë më parë.

Kërkimet katërditore për gjetjen e tyre përfunduan pasditen e së martës, pasi më herët ishin gjetur edhe trupat e dy vajzave të saj, 8 dhe 9 vjeçe.

Alma ishte larguar bashkë me tre fëmijët e saj më 2 maj nga banesa ku jetonte në Shkodër, ndërsa Policia kishte filluar një operacion kërkimi për ta, pasi bashkëshorti i saj dhe babai i tre fëmijëve, Ergys Arrazi, i kishte raportuar si të zhdukur.

Në operacionin e kërkimit u përfshinë 96 pjesëtarë të forcave operacionale policore dhe ushtarake, por edhe banorë të zonës ku ndodhi ngjarja.

Për vdekjen e tyre, Prokuroria e Shkodrës ka nisur procedim penal ndaj bashkëshortin Erdgys Arrazin, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “shkaktim i vetëvrasjes si pasojë e dhunës së ushtruar”.

“Deri në këtë fazë të hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij – shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj – ka shkaktuar vetëvrasjen e 39-vjeçares, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shkodrës.

Gjykata e Shkodrës vendosi të martën ta mbajë atë në paraburgim.

Ndryshe nga policia, e cila në njoftimin e parë për mediat pas ngjarjes së rëndë foli për dhunë fizike të ushtruar ndaj gruas dhe fëmijëve, Prokuroria tha se i dyshuari ka ushtruar dhunë të vazhdueshme psikologjike.

Të afërm të Alma Arrazit kanë thënë për mediat lokale se ajo “prej vitesh vuante për shkak të fyerjeve dhe gjuhës denigruese ndaj saj si dhe përballjes më tradhtinë”.

Sipas motrës së saj, bashkëshorti i kishte kërkuar të ikte nga shtëpia “ndërsa fëmijët do t’i mbante ai e do të niste një jetë të re”.

Autoritetet në Shqipëri e kanë cilësuar femicidin emergjencë kombëtare. Rastet e denoncuara të dhunës ndaj vajzave dhe grave janë në rritje, por sipas ministrisë së Brendshme ato janë vetëm “maja e ajsbergut” të këtij fenomeni shqetësues.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, gjatë vitit 2023 u regjistruan 4.798 raste të dhunës në familje, me 2.030 autorë të identifikuar nga policia.

Mbi 700 prej tyre u arrestuan dhe dënuan nga drejtësia, ndërsa pjesa më e madhe u gjykuan në gjendje të lirë.

Go to TOP