Gjashtë muaj burgim me kusht dhe 2 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për dhënien e 5 eurove ryshfet zyrtarit policor

Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 2000 euro gjobë të akuzuarin Dalibor Staniq për dhënie të ryshfetit.

Aktgjykimi dënues ndaj tij është shpallur të martën, nga gjykatësi i rastit Avni Mehmeti.

Sipas aktgjykimit, denimi me burgim të kushtëzuar në kohëzgjatje prej 6 muaj nuk do të ekzekutohet brenda afatit 1 vjeçar nëse i akuzuari Staniq nuk kryn vepër penale.

Staniq gjithashtu obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.

Gjykata vendosi edhe largimin e dorëzanisë dhe shuma e dorëzanisë t’i kthehet të akuzuarit Staniq, pasi i njejti ta paguajë dënimin me gjobë.

Në seancën fillestare të mbajtur po sot i akuzuari Staniq e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 qershor 2024 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Dalibor Staniq akuzohet se më 27 maj 2024, rreth orës 14:00, në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, në fshatin Kamenicë i ka dhënë dhuratë personit zyrtar, në atë menyrë që personi zyrtar të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se derisa Staniq ka qenë duke e drejtuar kamionin e tij është ndalur nga zyrtari policor Fidan Ademi, i cili e ka njoftuar të pandehurin Staniq që e ka tejkaluar shpejtësinë e levizjës me kamion, dhe ia kishte kërkuar dokumentet, ndërsa Staniq ia kishte dhënë dokumente ku në mes të tyre i kishte futur 5 euro, edhe pasi zyrtari policor e kishte njoftuar se është nën vezhgimin e kamerave.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Dalibor Staniq akuzohet se ka kryer veprën penale “ Dhënie e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Go to TOP