Gazetari: Përdor justifikime, gabimet e fundit rrëzuan Dritan Abazoviç
Gazetari Naser Selmani komentoi nga Shkupi për edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv sfidat e shqiptarëve dhe zhvillimet e fundit në Ballkan, nga dorëheqja e Zijadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët tek rrëzimi i qeverisë së Dritan Abazoviçit në Malin e Zi.
Sa i përket rrëzimit të qeverisë së Abazoviç në Malin e Zi, Selmani u shpreh se ai nuk ra nga qeveria për faktin se është shqiptar, por këtë po e përdor si justifikim për dështimin e tij. Selmani ia vë fajin gabimeve të fundit të Abazoviç për rrëzimin e qeverisë së këtij të fundit.
“Dorëheqja e Selës ishte e pashmangshme, në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në 2021, Sela në tetor kishte mbi 4 mijë vota, tani ra nën 1 mijë vota. Humbje mbi 3 mijë vota. Ishte e vështirë se si ndryshe të reagojë.
Kjo nuk duhet trajtuar si humbje e opozitës sepse një parti tjetër që është Besa, ka arritur e vetme në mundë partinë në pushtet, e cila gati për 20 vite është në pushtetin qëndror.
Humbja ndodh në partinë e dytë shqiptare që është Aleanca për Shqiptarët. Këto zhvillime kanë të bëjnë më tepër brenda kësaj partie se në raport me të tjerat.
Ndërsa për Abazoviç në Malin e Zi, ai në politikë u ngjit jo si shqiptar, por lëvizja qytetare e gjelbër, mënyrë për të arsyetuar dështimin e tij.
Rënia e tij i adresohet gabimeve në kohën e fundit. Largimi i tij ishte i pritshëm, Gjukanoviç e paralajmëroi që do kërkonte mocionin nëse nënshkruante marrëveshje me Kishën Ortodokse serbe. Abazoviç nuk e lexoi drejt mesazhin e Gjukanoviç.
E kuptoj përpjekjen e Abazoviç për të qetësuar rrymat nacionaliste serbe në Malin e Zi, por si duket ky kompromis i kaloi vijat e kuqe të nacionalistëve malazez dhe këta të fundit treguan një krenari kombëtare dhe nuk deshën të lejojnë që në shtetin e tyre që një kishë e një vendi fqinj t’iu organizojë jetën e tyre fetare.”-tha Selmani.
