Gabim matematikor: Studimi i ri përmbys kuptimin 100-vjeçar të perceptimit të ngjyrave

Një studim i ri ka korrigjuar një gabim të rëndësishëm në hapësirën matematikore 3D të zhvilluar nga fizikani fitues i çmimit Nobel, Erwin Schrödinger, i përdorur nga shkencëtarët dhe industria për më shumë se 100 vjet për të përshkruar se si syri juaj dallon një ngjyrë nga tjetra.

Hulumtimi ka potencialin për të rritur vizualizimin e të dhënave shkencore dhe për të rikalibruar industrinë e tekstilit dhe ngjyrave.

Roxana Bujack, një shkencëtare kompjuterike me një sfond në matematikë që krijon vizualizime shkencore në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos është edhe autorja kryesore i punimit nga një ekip i Los Alamos në “Proceedings of the National Academy of Sciences” mbi matematikën e perceptimit të ngjyrave.

Ajo u shpreh se forma e supozuar e hapësirës së ngjyrave kërkon një ndryshim paradigme dhe se hulumtimi i tyre tregon se modeli aktual matematik se si syri i percepton dallimet e ngjyrave është i pasaktë

“Hulumtimi ynë tregon se modeli aktual matematik se si syri i percepton dallimet e ngjyrave është i pasaktë. Ky model u sugjerua nga Bernhard Riemann dhe u zhvillua nga Hermann von Helmholtz dhe Erwin Schrödinger, të gjithë gjigantë në matematikë dhe fizikë dhe vërtetimi i njërit prej tyre i gabuar është thuajse ëndrra e një shkencëtari”, tha Bujack.

Sipas saj, modelimi i perceptimit të ngjyrave të njeriut mundëson automatizimin e përpunimit të imazhit, grafikat kompjuterike dhe detyrat e vizualizimit, shkruan Phys.org, transmeton Klankosova.tv.

“Ideja jonë origjinale ishte të zhvillonim algoritme për të përmirësuar automatikisht hartat me ngjyra për vizualizimin e të dhënave, për t’i bërë ato më të lehta për t’u kuptuar dhe interpretuar,” tha Bujack.

Në studimin i cili ndërthur psikologjinë, biologjinë dhe matematikën, Bujack dhe kolegët e saj zbuluan se përdorimi i gjeometrisë “Riemannian” mbivlerëson perceptimin e dallimeve të mëdha të ngjyrave.

Sipas tyre, kjo është për shkak se njerëzit e perceptojnë një ndryshim të madh në ngjyrë si më pak se shuma që do të merrnit nëse shtoni dallime të vogla në ngjyra që shtrihen midis dy nuancave të ndara gjerësisht.

Go to TOP