Geci: Pas 17 vitesh, LDK rikthehet fuqishëm në Skënderaj
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Geci, ka njoftuar për një rikthim të fuqishëm të LDK-së në Skënderaj duke theksuar se familje të njohura të rezistencës dhe rugovizmit kanë rifilluar angazhimin politik në mbështetje të kësaj partie.
Sipas Gecit, familjet e Ismet Rrahmanit, Haki Imerit dhe Xhafer Behramit janë rikthyer me vullnet dhe përkushtim në rrugëtimin politik me LDK-në. Ai ka bërë të ditur se këtij organizimi po i bashkohen edhe veteranë të shumtë nga të gjitha anët duke përcjellë mesazhe uniteti, besimi dhe rikthimi të frymës rugoviane në Drenicë.
Geci ka theksuar se mbështetje për këtë rrugëtim po japin edhe familje të dëshmorëve, si dhe personalitete të njohura, ndër ta edhe Dr. Faruk Ibishi, djali i profesorit të njohur Rifat Ibishi.
“Ky rikthim përfaqëson përkushtim, traditë dhe angazhim për një të ardhme më të mirë për qytetarët”, ka shkruar Geci.
Ai e ka përmbyllur mesazhin e tij me fjalët: “Na priftë e mbara”. /Kosova.info/
