Gazetarët kosovarë ishin të kufizuar të raportojnë gjatë regjimit të Millosheviqit

Në një diskutim në nivel ekspertësh mbi rolin dhe praninë e mediave si provë dhe të gazetarëve si dëshmitarë para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, KOMRA Rrjeti i Pajtimit dhe Mediacentar Sarajevo, publicisti dhe gazetari Veton Surroi ka treguar për përvojën e tij në atë kohë, pak para luftës dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Surroi përmendi kufizimin e të shprehurit në gjuhën shqipe më gazetën kosovare nga viti 1997 e tuje prej ish-regjimit serb, të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi.

Publicisti Surroi, i cili kishte qenë edhe dëshmitar në procesin gjyqësor të Millosheviqit, në Hagë, foli për historikun e gazetës të themeluar nga ai “Koha”, për çka tha se në fillim të luftës ishte e nevojshme një medium, gazetë që nuk është e ndikuar për të raportuar për luftën në Kosovë.

Madje, ai tha se si medium ishin të pavarur dhe të pandikuar.

“Dy udhëzues janë të asaj çka ndodhi me ‘Kohën’ atëherë, çështja e parë ishte të ndërtohet një medium në gjuhën shqipe, një gazetë në gjuhën shqipe. Në momentin kur pushteti serb, pushteti i Millosheviqit e kishte si udhëzues të vetin kufizimin e shprehjes në përgjithësi, dhe në gjuhën shqipe në veçanti… Ideja për të nxjerrë një gazetë ishte, pos faktit që do të ishte shprehje, do të ishte shprehje e lirë dhe e pavarur. E pavarur jo vetëm nga pushteti serb dhe nga pushteti i Millosheviqit, por edhe nga pushteti paralel, shqiptar, i aso kohe i lëvizjes për pavarësi. Të përpiqesh të bësh këtë në një moment të krizës së madhe, në vitin ’97, kur afrohej lufta, ishte pothuajse një veprim pothuajse i pamundur. Megjithatë, ajo çka ishte e mundur ishte fakti se nisëm një koncept të diskontinuitetit… Natyrisht rrethanat ishin fillimi i luftës, i eskalimit të luftës, dalja e UÇK-së, tregoi nevojën për informatë e cila nuk ishte e ndikuar nga qendrat politike. Ishte një nevojë e aso kohe që të identifikohen mediat me qendrat politike dhe atyre në pushtet e ndryshme, dhe ‘Koha’ nuk e përfilli këtë”, theksoi ai.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë theksoi se në vitin 2017 kanë organizuar një ekspozitë multimediale mbi rastet e procedurave para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi për krimet e kryera në Kosovë.

“Sa i përket pyetjes tuaj në lidhje me interesimin e publikut në Kosovë, hulumtuesve, historianëve, por edhe të institucioneve të tjera mbi dokumentacionin i cili është trajtuar para gjykatës penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, unë kisha me fillu një shembull, në vitin 2017 kemi krijuar një ekspozitë multimediale mbi rastet e procedurave para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi për krimet e kryera në Kosovë. Dhe, duke shfrytëzuar materialin e mbledhur kemi krijuar filmat e shkurtër e dokumentarë, të cilët ne i kemi shfaqur në një ekspozitë mbi rastin e Kosovës. Kjo ekspozitë ende është e ekspozuar në qendrën e dokumentimit të Kosovës, të cilën e ka themeluar Fondi për të drejtën humanitare”, tha ai.

Derisa në takimin virtual për mediat si provë dhe gazetarët si dëshmitarë para Tribunalit të Hagës, diplomati dhe publicisti boshnjak, Zllatko Dizdareviq foli për përvojën e tij si korrespodent i luftës në vitet e mëhershme dhe për mënyrën e punës së tij të pavarur.

“Mbaj mend edhe kur kam qenë korrespodent i luftës edhe në vitet e mëhershme, edhe aso kohe në të 80-at në njëfarë mënyre është thënë që gazetaria është duke u shuar për shkak se po i rrëmbehet pyetja ose esenca e pesë pyetjeve të arta. Kështu që ky propozim me këto intervista, 16 intervista, na tregoi sesa dallojnë perceptimet edhe lidhur me ngjarjet që janë përshkruar nga pikëpamja gazetareske. Çfarë janë trysnitë dhe çfarë është trysnia e edukimit, politikës, qëndrimeve, gjetjeve, mjediseve politike e shoqërore nga të cilat vijnë këta persona… Kemi shumë gazetarë britanikë dhe pikëpamjen e tyre që mbi të gjitha janë rregulla dhe parime të gazetarisë”, tha ai.

Në këtë diskutim “Për gazetarinë si draft i parë i historisë, dhe mediat si provë dhe gazetarët si dëshmitarë para Tribunalit të Hagës”, u tha se gazetarë si dëshmitarë të krimeve janë 14 në tërësi.

Si rezultat i këtij projekti synohet të botohet një libër në dy gjuhë, në gjuhën angleze dhe në atë boshnjake.

Ky libër pritet të dalë në qarkullim në prill të këtij viti me koincidencë të 30 vjetorit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. 

Go to TOP