Gashi: Nga burrat e pajtimit si Anton Çetta, te burrat që falin tokë dhe shajnë kryeministrin

Avokati Tomë Gashi ka reaguar përmes një postimi ku ka krahasuar figurën e Anton Çettës me atë që ai e quan degradim të lidershipit në kohën e sotme duke aluduar qartësisht në ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe qëndrimet e tij kundër Kryeministrit aktual Albin Kurti.

“Dallimi… Kur Kosova ka pas burra si Anton Çetta, ishte kohë okupimi, por ai me shokët e tij bëri gjithçka që mundi për pajtim dhe për razi. Tani, në liri, janë disa ‘burra’ të tjerë që ditë e natë bëjnë zi e ma zi, e shkojnë deri aty sa i falin tokë Kosovës edhe Malit të Zi duke sharë Kryeministrin e vet si është më keq e si është ma zi – herë me Serbi, herë me Rusi”, shkruan Gashi.

Ai shton se koha ka ndryshuar dhe se ndonëse liria ka ardhur, dallimi mes figurave historike si Anton Çetta dhe politikanëve të sotëm është “sa një det e sa një mal”.

Ky reagim i Gashit vjen në një kohë tensionesh të theksuara politike dhe retorike të ashpra ndërmjet opozitës dhe Qeverisë Kurti, veçanërisht pas kritikave të përsëritura të Haradinajt ndaj politikave të kryeministrit në raport me dialogun me Serbinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP