G7 dënon Iranin për sulmin ndaj Izraelit, paralajmëron mbi rrezikun e përshkallëzimit

Udhëheqësit e vendeve të G7-ës dënuan sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe thanë të dielën se do të punojnë për të frenuar një “përshkallëzim rajonal të pakontrolluar” të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Italia, e cila mban presidencën e radhës të G7-ës, kishte thirrur një takim të udhëheqësve të vendeve më të zhvilluara të botës pasi presidenti amerikan Joe Biden premtoi një përgjigje të koordinuar diplomatike ndaj sulmit të pashembullt të Iranit me dronë dhe raketa ndaj Izraelit.

“Me veprimet e tij, Irani ka thelluar destabilizimin e rajonit dhe rrezikon të provokojë një përshkallëzim rajonal të pakontrollueshëm të konfliktit. Kjo duhet të shmanget”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Italia.

Udhëheqësit e G7-ës, të cilët mbajtën një takim virtual, që zgjati pak më pak se një orë, i bënë thirrje Iranit të tregohet i përmbajtur.

“Në këtë frymë, ne kërkojmë që Irani dhe grupet e mbështetura prej tij, të ndërpresin sulmet e tyre dhe ne jemi të gatshëm të marrim masa të mëtejshme tani dhe në përgjigje të nismave të tjera destabilizuese”, thuhet në deklaratën e G7-ës.

Presidenti Biden ka paralajmëruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në një kundërsulm ndaj Iranit, nëse Izraeli vendos të hakmerret.

Veprimet e Iranit ishin në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit në konsullatën e tij në Siri më 1 prill, në të cilin u vranë komandantët kryesorë të Gardës Revolucionare dhe pasojnë përleshjet disa mujore mes Izraelit dhe aleatëve rajonalë të Iranit, të shkaktuara nga lufta në Gaza.

Deklarata e G7-ës gjithashtu premtonte fillimin e punës për arritjen “e një armëpushimi të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në Rripin e Gazës pas më shumë se gjashtë muajsh luftimesh atje.

G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Italia, Britania, Franca Gjermania dhe Japonia, si dhe Bashkimi Evropian. Ministrat e jashtëm të G7-ës kanë në plan të zhvillojnë një takim në 17-19 prill në ishullin italian të Kaprit.

Go to TOP