Fundjava në Shqipëri, shi, borë e shtrëngata

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka bërë të ditur se Shqipëria këtë fundjavë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme me mbizotërim të motit të vranët dhe me reshje shiu.

SHMU njofton se të shtunën reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme me intensitet të ulët deri në mesditë në pjesën më të madhe të vendit dhe prej orëve të mesditës reshje shiu me intensitet deri mesatar në formë shtrëngatash.

“Reshjet do të vijojnë të jenë të herëpashershme në formën e shtrëngatave afatshkurta lokale deri në orët e vona të mbrëmjes së ditës së diel, kryesisht të përqendruara në pjesën lindore të vendit.

Në Alpe dhe relievet malore në veri-verilindje-juglindje të vendit parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në lartësinë mbi 600-800 metër”, thuhet në njoftim.

Era do të fryjë nga kuadrat i veriut me shpejtësi mesatare 3-12m/s, ndërsa në lugina, në relievet e larta malore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës arrin shpejtësi 13-22m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 3-4ballë.

Prezencë e mjegullës së dendur lokale/mjegullinës në orët e mëngjesit/mbrëmjes dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Go to TOP