Flet Grenell pas konfirmimit të Hovenier në pozitën e amabasadorit amerikan në Kosovë
Diplomati Jeffrey Hovenier është konfirmuar sot Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Pas konfirmimit të tij nga Senati amerikan, ka reaguar ish i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Grenell e ka uruar Hovenierin për pozitën e re të Hovenier përmes një postimi në Twitter në llogarinë e tij zyrtare.
“Urime, Jeff”, ka shkruar ish-diplomati amerikan.
Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së në të gjitha proceset politike ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, pati thënë atëbotë Thaçi.
Ndërsa diplomati amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte deklaruar se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë Hovenier.
