Fetahu për vendimin e Kushtetueses: Shpresëplotë se vendimi final do t’i konfirmojë shkeljet e rregullores
Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, ka reaguar pas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ku në njërën e shpalli anti-kushtetues shkarkimin e tetë Anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe së dyti, e refuzoi kërkesën e PDK-së për masë të përkohshme në lidhje me vendimet e seancës së 13 korrikut.
Fetahu tha se shpallja si kundër-kushtetuese e shkarkimit të tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së, paraqet goditje të drejtpërdrejtë përballë tendencave të pushtetit autokratik të Kurtit për t’ia mbyllur gojën mediave dhe fjalës së lirë.
Ndërsa, për sa i përket refuzimit të kërkesës për masë të përkohshme lidhur me vendimet e seancës së 13 korrikut, Fetahu tha se është shpresëplotë se vendimi final i gjykatës do të konfirmojë shkeljet flagarante të Rregullores.
“Si përfaqësues i tyre pranë kësaj gjykate, jam shpresëplotë se ky vendim nuk do ta paragjykojë kërkesën që kemi ngritur dhe vendimi final i saj do të konfirmojë shkeljet flagrante të Rregullores, autor i të cilave është Kryetari i Kuvendit dhe aktgjykimi final të shërbejë (për të ardhmen) në funksion të evitimit të këtyre shkeljeve, si dhe të parandalojë abuzimin e diskrecionit të tij për të thirrur dhe caktuar seanca në kundërshtim me rregullat e jetës parlamentare”.
“Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare të 13 korrikut nuk është as e lehtë e as e zakonshme. Madje, për nga natyra, është e para e këtij lloji që sfidon gjyqësinë kushtetuese kosovare, e cila në rrethanat e rastit konkret, i ka vetëm dy rrugë: ose të konfirmojë si jokushtetues vendimin e Kryetarit të Kuvendit dhe të kuptimësojë zbatimin e drejtë dhe korrekt të Rregullores së Punës së Kuvendit, si akt i nivelit kushtetues nga njëra anë, ose të shpallë të pavlerë e të parëndësishme rregulloren e mësipërme, e t’i hapë rrugë shkeljes dhe abuzimit të vazhdueshëm të saj dhe përmes tyre, edhe funksionit dhe mandatit të deputetëve si përfaqësues të popullit në Kuvendin e Kosovës, në anën tjetër”, tha Fetahu, transmeton Klankosova.tv.
Ai, shtoi se në mes të këtyre dy zgjidhjeve, beson që Gjykata Kushtetuese do t’i japë përgjigjen e merituar pretendimeve të PDK-së, pasi sipas tij, janë të bazuara e të argumentuara në fakte.
