Fajon viziton Kosovën, pritet të takohet me Osmanin dhe Konjufcën

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, të hënën e 16 janarit do ta nisë vizitën e saj zyrtare në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka njoftuar se kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, e ka pritur homologen e saj sllovene, të dielën e 15 janarit.

Fajon fillimisht do të ketë takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon”, ka njoftuar zyra e Presidentes.

Pas takimit me Osmanin, kryediplomatja sllovene do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon. Takimi mbahet në orën 13:40”, thuhej në njoftim.

Kryediplomatja sllovene Tanja Fajon, javë më parë e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për liberalizimin e vizave për Kosovën, në mes të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

Fajon përmes një postimi në Twitter ka thënë se kjo çështje e liberalizimit të vizave ishte e rrugë e gjatë, por e merituar.

“Ishte një rrugë e gjatë, por ne ia dolëm! Liberalizimi i vizave ishte qëllimi i shumëpritur. Jam i kënaqur që qytetarët së shpejti do të gëzojnë përfitimet e saj. E merituar. Do të përfitojnë njerëzit për kontaktet e njerëzve”, kishte shkruar Fajon.

Go to TOP