Fajdet në Prishtinë, viktima mori 5 mijë euro, më pas edhe një shumë tjetër e u detyrua të kthejë mbi 100 mijë euro
Prokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Arben Hoti, ka zbuluar detaje tronditëse lidhur me një rast fajdeje, ku një person fillimisht mori një shumë prej 5 mijë eurosh, ndërsa detyrimi i tij përfundimtar dyshohet se ka tejkaluar shumën prej 100 mijë eurosh.
Sipas Hotit, personi fillimisht mori pjesë në lojëra me paratë e tij personale, por pasi humbi, u detyrua të luajë me borxh. Duke qenë në pamundësi për të përmbushur detyrimet e tij, ai mori para me fajde për të paguar borxhet, çka çoi në rritjen e interesit dhe kamatave mujore.
“Detyrimi ka arritur shuma të mëdha për shkak të pamundësisë së përmbushjes së detyrimeve, duke kaluar shumën prej 100 mijë eurosh,” tha Hoti, duke shtuar se Prokuroria po vazhdon hetimet për të përcaktuar saktësisht shumën totale të kamatave dhe detyrimeve.
Rasti përfshin edhe katër të arrestuar, të cilët po hetohen për veprat penale të fajdeve dhe organizimin e skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm. Sipas prokurorit, format e kamatave ndryshojnë nga grupi në grup, duke filluar me afate mujore dhe përfunduar me afate dhjetëditore, me përqindje të interesit që arrijnë deri në 15%.
Hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur të gjitha detajet e rastit.
