Fadil Hadergjonaj Bjeshka kujton betimin e brigadave të para të UÇK-së: Krenaria dhe nderi shtohen me kalimin e viteve

Ish-komandanti Fadil Hadergjonaj Bjeshka, njëherësh deputeti i LDK-së, ka kujtuar 21 qershorin e vitit 1998, ditën kur në Papaj të Tropojës u bë betimi solemn i brigadave të para të UÇK-së para Shtabit Suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi, Hadergjonaj tha se edhe pas 28 vitesh, krenaria dhe nderi për atë ditë vazhdojnë të rriten.

Ai rikujtoi se në atë ceremoni, para komandantit të Shtabit, kolonel Ahmet Krasniqi, u dekretuan komandantët e brigadave 131, 133 dhe 134, të formuara nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat më pas shërbyen si model për krijimin dhe zhvillimin e shumë brigadave të tjera të UÇK-së në të gjithë Kosovën.

Hadergjonaj theksoi se kishte nderin të rreshtonte trupat dhe të raportonte para komandantit Tahir Zemaj për gatishmërinë e formacioneve për dhënien e betimit.

Sipas tij, këto brigada përfshinë profesionistë, strategë, patriotë, gra dhe burra të përkushtuar, të cilët me veprimet e tyre luftarake dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare.

Ai veçoi Betejën e Loxhës dhe atë të Koshares duke vlerësuar se ato i shkaktuan humbje të mëdha forcave armike dhe mbeten ndër ngjarjet më të rëndësishme të luftës.

Në fund, Hadergjonaj theksoi se liria e Kosovës është ndërtuar mbi gjakun, heroizmin dhe sakrificën e luftëtarëve nga të gjitha trojet shqiptare duke shprehur nderim për të rënët, invalidët, veteranët dhe bashkëluftëtarët e luftës çlirimtare. /Kosova.info/

Go to TOP