Fadil B. Hoxha, sindikalisti i RTK-së që u bë shef njësie me 1,100 euro pagë nga ish drejtori Mentor Shala (Dokument)

Kryetari i SPRTK-së, Fadil B. Hoxha e kishte propozuar vetën kundërligjshëm për t’u avancuar nga hulumtues i programit për analizë dhe statistikë në RTK, në udhëheqës të njësisë. Atij i është rritur rroga dy herë brenda 6 muajve në vlerë prej 300 eurosh, ose mbi një pagë mesatare në RTK në kohën kur ky institucion udhëhiqej nga ish-drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala. Kjo ndodhi pak kohë pasi që Hoxha dhe Shala kishin nënshkruar një aktpajtim, shkruan Indeksonline

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK), Fadil B. Hoxha, nga i akuzuar për dëmtim imazhi të RTK-së, kishte përfunduar ndër përfituesit kryesor financiar nga ish drejtori gjeneral, Mentor Shala, i përfolur për keqpërdorime dhe keqmenaxhim të Transmetuesit Publik.

Në vitin 2017, Hoxha, teksa ndaj tij u iniciua Komision Disiplinor, lidhi aktpajtim me ish drejtorin Shala duke blerë paqen në këmbim të përfitimit të majmë financiar për vetën.

Duke shfrytëzuar pozitën e kryesindikalistit të njërës prej sindikatave të RTK-së, Hoxha me pëlqimin e Shalës përfitoi rritje page dy herë brenda 6 muajve në vlerë totale prej 300 eurosh, ose mbi një pagë minimale në RTK.

Nga kontratat e punës të cilat Indeksonline i ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike, dëshmohet se avancimi i parë kishte ndodhur në fund të vitit 2017 ku paga e Hoxhës i sistemuar si Hulumtues i Programit, fillimisht ishte rritur për rreth 180 euro. Avancimi kishte ndodhur gjatë ndryshimit të  rregullativës së koeficienteve të pagave, ku Hoxha doli të ishte ndër përfituesit kryesor financiar.

Në kuadër të kësaj rregulloreje, me kërkesë të Hoxhës ishte krijuar poashtu pozita e re, Udhëheqës i Njësisë së Hulumtimit ku brenda disa muajsh, përkatësisht në qershor të 2018-ës, u zyrtarizua si shef njësie pa vlerësim performance e pa konkurs duke përfituar sërish rritje page edhe për rreth 130 euro.

Në kohën kur u krijua pozita e re udhëheqëse, ishin gjithsej vetëm dy punëtorë,  në kundërshtim me çdo logjikë të organizimit të brendshëm dhe të racionalizimit të buxhetit të cilin e kishte pranuar kryesindikalisti. Mësohet se vetëm një muaj para se të zyrtarizohej si udhëheqës, njësisë iu shtua edhe një punëtor.

“ Në kohën e këtij avancimi pozita e eprorit tim të drejtpërdrejtë ka qenë vakante gjë të cilën mund ta konfirmoni. Po ashtu, asnjëri prej të punësuarve në këtë njësi, tre sa ishim gjithsej nuk ka shprehur interesim për këtë pozitë për shkak të përvojës shumë më të vogël se unë që e kishin”, thekson Hoxha.

Nga krahasimi i kontratave para dhe pas dy avancimeve të njëpasnjëshme, rezulton se për 6 muaj, Hoxhës i është rritur paga bruto, për 300 euro, nga rreth 770 bruto sa e kishte, në afro 1,100 euro.

Dokumentet e siguruara nga Indeksonline tregojnë se avancimi në udhëheqës të njësisë dhe rritja e pagës, nuk ishin të rastësishme. E gjithë kishte ndodhur pasi që Fadil B. Hoxha një vit më parë (2017) pasi ishte iniciuar Komision Disiplinor ndaj tij dhe duke qenë në proces të hapur disiplinor, kishte shkuar te Avokati i Popullit për të nënshkruar pajtimin me drejtorin e atëhershëm Mentor Shala dhe kryetarin e bordit të RTK-së, Ismet Bexhetin.

Procesi disiplinor ndaj tij u ndal pa ndonjë vendim ndërsa nga ky moment situata ndryshoi sa i përket aspektit financiar të z. Hoxha.

Pas këtij aktpajtimi, Hoxha kishte pasivizuar aktivitetin sindikal publik, pavarësisht punësimeve pa kritere e pa konkurs, padrejtësive ndaj punëtorëve dhe keqpërdorimeve e keqmenaxhimit në RTK. Kjo gjë vërtetohet edhe në kohështrirjen e profilit zyrtar të z. Hoxha dhe të Sindikatës së Pavarur të RTK-së – SPRTK. Nga ajo kohë, për dallim prej postimeve të mëparshme, emri i Mentor Shalës nuk ishte përmendur më publikisht nga Hoxha dhe kjo situatë kishte vazhduar për një kohë të gjatë, deri në përfundimin e mandatit të Shalës si drejtor gjeneral dhe dobësimit të pozicionit të tij.

Go to TOP