Evropa skeptike ndaj sinjaleve për paqe nga Moska

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë akuzuan të mërkurën presidentin rus, Vladimir Putin se po shtiret si i interesuar për përpjekjet rreth paqes, pasi pesë orë bisedime me të dërguarit amerikanë në Kremlin nuk sollën asnjë përparim.

“Kreu rus duhet t’i japë fund mburrjes dhe gjakderdhjes dhe të jetë i gatshëm të ulet në tryezë dhe të mbështesë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme,” tha ministrja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i bëri thirrje Putinit që “të ndalojë së humburi kohën e botës”, raporton AP.

Këto deklarata pasqyrojnë tensionet e larta dhe hendekun e thellë mes Rusisë, nga njëra anë, dhe Ukrainës me aleatët e saj evropianë, nga ana tjetër, lidhur me mënyrën se si duhet të përfundojë lufta, që Moska nisi kur pushtoi vendin fqinj pothuajse katër vjet më parë.

Një ditë më herët, Putini akuzoi evropianët se po sabotojnë përpjekjet amerikane për paqe dhe paralajmëroi se, nëse provokohet, Rusia do të jetë gati për luftë me Evropën.

Që nga pushtimi i vitit 2022, qeveritë evropiane, së bashku me SHBA-në, kanë shpenzuar miliarda dollarë për ta mbështetur Kievin financiarisht dhe ushtarakisht. Megjithatë, nën presidencën e Donald Trump-it, Shtetet e Bashkuara e kanë zbutur mbështetjen e tyre dhe në vend të kësaj po angazhohen për përfundimin e luftës.

Këshilltari për Politikë të Jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, tha se bisedimet e së martës në Kremlin mes Putinit dhe të dërguarit amerikan Steve Witkoff, si dhe dhëndrit të Trump-it, Jared Kushner, ishin “pozitive”, por nuk dha asnjë detaj.


Go to TOP