Emërllahu para sfidës me Rumaninë: Ne nuk i frikësohemi asnjë ekipi

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Lindon Emërllahu është i bindur se skuadra jonë do të fitojë në Rumani.

Dardanët të premten mbrëma do të ndeshen me Rumaninë në Bukuresht, në sfidën vendimtare për pozitën e parë në Grupin 2 të Ligës C, ndeshje kjo që luhet në kuadër të Ligës së Kombeve.

Emërllahu pas stërvitjes së sotëm të kombëtares sonë, ka thënë se atmosfera në taborin e skuadrës sonë është mjaft e mirë dhe premtuese për rezultat pozitiv në Bukuresht.

“Atmosfera është mjaft e mirë në ekip për këtë ndeshje. Jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje dhe secili lojtarë e dinë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe do të futemi në lojë vetëm për tri pikë. Besoj se me prurjet e reja që janë dhe secili lojtarë mund ta tregojë veten në këto dy ndeshje”, ka thënë Emërllahu.

Ai thotë se Rumania ka skuadër të fortë, por sipas Emërllahut, Kosova nuk i frikësohet asnjë ekipi.

“E dimë se Rumania ka një ekip mjaft të mirë dhe është në vendin e parë, por ne nuk kemi frikë nga asnjë ekip, ne kemi një ekip mjaft të mirë dhe do të hyjmë vetëm për fitore”, ka pohuar Emërllahu.

Dardanët aktualisht janë në pozitën e dytë në Grupin 2 të Ligës C, me 9 pikë, derisa Rumania kryeson me 12 pikë.

Ndeshja Rumani-Kosovë fillon në orën 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Kosova tri ditë pas ndeshjes me Rumaninë, do të përballet me Lituanin në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e fundit të këtij cikli garash në Ligën e Kombeve.

Go to TOP